Miratohet Plani Kombëtar, 7.6 mld lekë mbështetje për personat me aftësi të kufizuara
Qeveria miratoi strategjinë 2026–2030 për më shumë përfshirje, shërbime dhe jetesë të pavarur.

Këshilli i Ministrave ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026–2030, dokumentin strategjik që do të drejtojë politikat publike për garantimin e të drejtave, përfshirjes sociale dhe jetesës së pavarur të kësaj kategorie gjatë pesë viteve të ardhshme. Plani synon që personat me aftësi të kufizuara të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre, të jetojnë të pavarur dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në jetën sociale, ekonomike dhe publike të vendit.
Dokumenti parashikon ndërhyrje në fusha të rëndësishme si aksesueshmëria, arsimi gjithëpërfshirës, punësimi dhe formimi profesional, mbrojtja sociale, shëndetësia dhe rehabilitimi, drejtësia, si dhe pjesëmarrja në jetën politike, kulturore dhe publike. Në total, plani përfshin 28 objektiva specifike, 68 masa prioritare dhe 283 ndërhyrje konkrete të buxhetuara për periudhën 2026–2030, me një kosto të përgjithshme prej rreth 7.6 miliardë lekësh.
Kalim drejt përfshirjes së plotë sociale
Një nga drejtimet kryesore të planit është kalimi nga një model mbështetjeje i fokusuar kryesisht te përfitimet financiare drejt një modeli të përfshirjes së plotë sociale, ekonomike dhe institucionale. Në qendër të tij vendoset zgjerimi i aksesit në shërbime komunitare, rehabilitim, arsim cilësor, teknologji ndihmëse, mundësi punësimi dhe infrastrukturë të aksesueshme.
Shërbime të reja dhe mbështetje për jetesë të pavarur
Ndër risitë kryesore të planit janë zgjerimi i shërbimeve komunitare dhe mbështetja e jetesës së pavarur, hartimi i planeve të individualizuara të tranzicionit për përfituesit e qendrave të zhvillimit, identifikimi dhe hartëzimi kombëtar i personave në rrezik institucionalizimi, forcimi i financimit të shërbimeve sociale, përmirësimi i aksesit në pajisje ndihmëse dhe teknologji mbështetëse, si dhe ngritja e sistemeve më të avancuara për mbledhjen e të dhënave dhe monitorimin e politikave.
Plani parashikon gjithashtu zgjerimin dhe standardizimin e shërbimeve shëndetësore në të gjithë territorin e vendit, forcimin e rehabilitimit, zhvillimin e shërbimeve të shëndetit mendor dhe krijimin e një sistemi më të plotë të pajisjeve ndihmëse, të ndërtuar mbi nevojat individuale të çdo personi.
Fokus te arsimi dhe punësimi
Një rëndësi e veçantë i kushtohet modernizimit të arsimit gjithëpërfshirës dhe formimit profesional. Dokumenti synon forcimin e qendrave burimore, zhvillimin e edukimit të hershëm gjithëpërfshirës dhe krijimin e lidhjeve më të forta mes arsimit, aftësimit profesional dhe tregut të punës, me qëllim rritjen e mundësive për integrim ekonomik dhe social.
I harmonizuar me standardet ndërkombëtare
Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026–2030 bazohet në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Strategjinë e Bashkimit Evropian për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021–2030, duke synuar afrimin e politikave shqiptare me standardet ndërkombëtare dhe evropiane në këtë fushë.
Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat






k.jpg)